Në Pejë nis ndërtimi i Qendrës nacionale të xhudos

Kosova do të ketë Qendrën Kombëtare të Xhudos, e cila do të ndërtohet në qytetin e Pejës, investim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Federata së Xhudos të Kosovës (FXHK) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Xhudos.

Të pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kësaj qendre ishin personalitete të shquara të komunitetit sportiv, Ministrja Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga dy zëvendësministrat Arbër Grabovci dhe Engelbert Zefaj, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të udhëhequra nga kryetari Besim Hasani, drejtuesit e FXHK-së me në krye Agron Kuka, xhudistët e klubit “Ippon” nga Peja dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ministrja Dumoshi ka vlerësuar me këtë rast se vënia e gurthemelit të Qendrës Kombëtare të Xhudos është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për sportin e xhudos. Ministrja solli në kujtesë bisedën me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer.

“Sapo kam marrë drejtimin e MKRS-së si ministre jemi takuar me z. Vizer bashkë me kryetarin e Federatës, presidentit e KOK-ut dhe trajnerin Driton Kuka dhe kemi biseduar, dhe ai në një moment më ka thënë: A po më siguron që do të filloni ndërtimin e kësaj qendre? Ia kemi dhënë fjalën dhe ja sot kjo gjë u bë realitet dhe për këtë nismë e falënderojmë edhe z. Vizer”, tha ministrja Dumoshi.

Ndërsa, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh se xhudistëve kosovar vetëm infrastruktura i ka munguar dhe sipas tij sukseset në këtë sport do të jenë edhe më të mëdha.

Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka u shpreh se kjo qendër do të jetë qendra nga e cila do të dalin xhudistët më të mirë në Kosovës, të cilët do korrin edhe suksese ndërkombëtare. Ai falënderoi MKRS-në dhe ministren Dumoshi për përkrahjen e pakursyer për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës

MKRS-ja për këtë projekt infrastrukturor fizik në fushën e sportit ka ndarë shumën financiare prej 300 mijë euro, dhe për këtë ka nënshkruar memorandum në fund të muajit prill.