Ministrja Dumoshi e Kryetari Haziri vunë gur themelin e stadiumit ndihmës në Gjilan

Ministrja Vlora Dumoshi bashkë me zv. ministren Valdete Bajrami, gjatë vizitës në Gjilan ishin të pranishme për vënien e gur themelit të stadiumit ndihmës në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ministrja Dumoshi tha se investimi në fushën ndihmëse në lagjen “Arbëria” kap koston e 550 mijë eurove. Me këtë rast ministrja u bëri thirrje të rinjve dhe organizatave rinore që të aplikojnë për mbështetje nga fondi emergjent 5 milionësh që është ndarë për MKRS-në për kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Ky fond do të përfshijë vende pune për të rinjtë, në fusha që ndërlidhen me kulturën, rininë e sportin, me ç ‘rast të rinjtë ftohen të aplikojnë përkitazi në projekte programore të Ministrisë. Me këtë theksoi që synohet që pjesën që i përket rinisë, përmes këtij fondi ta përkthejnë në vende punë për të rinjtë.

“Sot ndodhemi në komunën e Gjilanit ku në programin tonë bashkë me Federatën e Futbollit shpalosim programin për avancimin e sportit në përgjithësi e në veçanti për futbollin. Në katër komuna do të investojmë rreth 4 milionë euro. Fusha ku ndodhemi sot ka koston prej 550 mijë euro”.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se të rinjtë e Gjilanit do të shkollohen e stërviten në këtë stadium. Haziri mes tjerash ka thënë se ky është stadiumi i tretë në Gjilan.

“Ministrja dhe zëvendësministrja sot janë në Gjilan për të parë punimet në infrastrukturën sportive dhe për ta inauguruar stadiumin ndihmës të Gjilanit. Të rinjtë tanë do të shkollohen e stërviten por edhe klubet do t’i kryejnë stërvitjet në këtë stadium. Shpresoj që kjo t’ju shërbejë si motivim për lojën së bukur që do të zhvillohet këtu – tha Kryetari Haziri.

Stadiumet në fjalë janë projekt i përbashkët i MKRS-së, FFK-së dhe komunave dhe ndërtohen për ekipet e futbollit të cilat garojnë në Super Ligën e Kosovës.

Gjashtë fusha ndihmëse janë ndërtuar edhe gjashtë pritet të ndërtohen në tërë Kosovën.