Qeveria mbulon shpenzimet e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët deri në fund të këtij viti

Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Kosovës kanë publikuar sot vendimin për heqjen e Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët tanë deri në fund të këtij viti.

Me këtë vendim, Qeveria siguron mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për diasporën për këtë vit.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se me këtë vendim lehtësohet ardhja e diasporës, ndërsa bëri të ditur se çmimi i primit është zbritur 35 për qind.

Në një konferencë për media ajo tha se remitencat janë më të larta 7 për qind krahasuar me periudhën e vitit të kaluar.

“Bashkatdhetarët tanë nga 1 gushti mund ta marrin primin online dhe kështu eliminohen pritjet e gjata. Kemi marrë barrën e primit nga 1 gushti deri më 31 dhjetor të këtij viti. Ndërsa, për reduktimin e veturave të paregjistruara mbetet përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme”, tha Bajrami.

Edhe guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se është një lajm i mirë se BQK sot ka ulë edhe çmimet e primit.

Mehmeti ka thënë se Qeveria merr për obligim që të mbulojë 100 për qind policën e sigurimit për bashkatdhetarët.