96-vjeçari, studenti më i vjetër i Italisë

Të studiuarit nuk kërkon moshë dhe këtë e provon më së miri një 96-vjeçar nga Italia i cili është kthyer në studentin më të vjetër të vendit.

Varfëria në rini, luftërat e tani edhe pandemia e covidit të ri janë disa nga kujtimet që ruan 96-vjeçari italian, Xhuzepe Paterno.

Por nga kjo javë, si askush tjetër, ai është edhe studenti më i vjetër që diplomohet nga një universitet i Italisë.

Ish-punëtori i hekurudhave i lindur në vitin 1923 e tërhoqi diplomën për degën e Historisë dhe Filozofisë me nderime nga Universiteti i Palermos, në praninë e familjes, profesorëve dhe bashkëstudentëve 70 vite më të rinj se vetja.

Paternoja thotë se u rrit me librat pa pasur mundësinë të shkollohet tepër për shkak të periudhës së depresionit ekonomik kur ishte i vogël, më pas detyrimet e ushtrisë dhe martesës në moshën 23 vjeç.

Shkollën e mesme arriti ta përfundojë vetëm kur ishte 31 vjeç.

“Thashë me vete o tani, o kurrë. Prandaj në vitin 2017 vendosa të regjistrohem në universitet. E kuptoja që ishte disi vonë për një diplomë trevjeçare por i thashë vetes, ta shoh a e bëj dot. Nuk isha i sigurt, nuk e njihja mjedisin dhe as si mund të silleshin profesorët me një të moshuar.”

Gjatë dy viteve të para në universitet, Paternoja tregon se provimet dhe leksionet i ndiqte në klasë, ndërsa me përhapjen e pandemisë këtë vit, hasi disa vështirësi të cilat nuk ia lehtësonin as njohuritë prej moshatari, më së pari me përdorimin e platformave të mësimit me kompjuter.

Megjithatë, për babanë e dy fëmijëve dhe gjyshin e katër nipërve, coronavirusi sado i rrezikshëm qoftë, nuk ka të krahasuar me konfliktet e armatosura dhe as ato që ai ka kaluar.

“Lufta e Dytë Botërore na ka forcuar, të gjithë bashkëmoshatarët e mi, ata që janë ende gjallë të paktën, na ka bërë më të fortë ndaj këtij kovidit. Nuk jemi shumë të frikësuar.”

Për sa i përket të ardhmes, 96-vjeçari italian thotë se ka ambicie të tjera ndërsa fton të rinjtë të studiojnë pa reshtur.

Si projekt të radhës ai sheh të shkruarit dhe të lexuarit e librave që dikur nuk mundi, sepse për të dituria është thesar, dhe studimi, mundësi për çeljen e horizonteve të reja. /oranews/