Anulohet zyrtarisht debati i dytë Trump-Biden

Debati i dytë presidencial midis presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden është anuluar zyrtarisht.

Komisioni jopartiak për Debatet Presidenciale konfirmoi të premten se aktiviteti i 15 tetorit nuk do të mbahej.

Vendimi u mor një ditë pasi komisioni njoftoi se debati do të zhvillohej “virtualisht” meqenëse presidenti Trump ishte infektuar me coronavirus.

Zoti Trump tha se nuk do të merrte pjesë në debat me një format të tillë, ndërsa ish-nënpresidenti Biden planifikoi një aktivitet me pyetje-përgjigje nga votuesit, drejtuar nga televizioni ABC News për atë natë, menjëherë pasi zoti Trump tha se nuk do të merrte pjesë.

Ekipi i Presidentit Trump më vonë u kundërpërgjigj me një thirrje për të mbajtur debatet siç ishin planifikuar pasi mjeku i presidentit tha se ai mund të mbante aktivitete publike duke filluar nga e shtuna.

Por, komisioni tha se nuk do ta kthente vendimin e tij për të mos patur kandidatët në një sallë së bashku, duke përmendur si arsye kujdesin, nisur nga shqetësimet shëndetësore – veçanërisht për debatin që ishte planifikuar në një format me pyetje-përgjigje nga votuesit.

Debati i tretë, i parashikuar për në 22 tetor në Nashville, Tenesi, është ende i planifikuar të mbahet. /VOA/