Haradinaj i reagon sërish Hotit pas vendimit për shuarjen e Task-forcës kundër korrupsionit

Janë duke vazhduar replikat ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkak të vendimit të Qeverisë për shuarjen e Task-forcës anti-korrupsion.

Pas deklaratës të kryeministrit Hotit, që zyrtarët që kanë qenë në kuadër të kësaj force vazhdojnë pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt.

Haradinaj ka thënë se vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive.

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave: Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, thuhet në reagimin e Haradinajt në Facebook.

Ndryshe, Qeveria Hoti më 19 tetor e ka shfuqizuar vendimin nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010, i cili vendim kishte themeluar Taskë-forcën antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.