Dështon sërish shqyrtimi i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike

Komisioni për Buxhet dhe Transfere nuk i ka dhënë mbështetje Projektbuxhetit 2021 pasi nuk pati vendim marrje në votim.

Deputetët e Vetëvendosjes (VV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) edhe pse ishin prezent nuk kanë votuar.

Për shkak të mos vendim marrjes, Komisioni ka shtyrë për një mbledhje tjetër votimin për Projektligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Diskutimi i Projektbuxhetit 2021 në Komisionin për Buxhet dhe Transfere që zgjati përreth tri orë, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë se që të këtë buxhet të qëndrueshëm për vitin e ardhshëm varet shumë edhe nga miratimi i Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Nëse nuk ndodhë shpejt miratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, do të ketë pasoja të mëdha edhe buxheti për vitin 2021 si dhe mund të pësoj edhe më tej sektori privat. E po ashtu nuk përjashtohet mundësia që të preken edhe pagat e sektorit publik”, tha Krasniqi.

Sa i përket ndarjeve buxhetore dhe kritikave nga opozita për shtimin e buxhetit për asfalt dhe zvogëlimin e mjeteve për shëndetësi, Krasniqi tha se projektet në infrastrukturë fatkeqësisht janë vazhdimësi, dhe janë të detyruar t’i realizojnë për të mos u ndëshkuar me penallti.

“Është e pa kuptimit që është rrit numri i invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës. Këto kategori po na bëjnë që të kemi mangësi buxhetore për 30 milionë euro në vit. Te shëndetësia, fatkeqësisht është ashtu siç potencuan deputetët. Mendojmë që me mbështetjen e vazhdueshme për këtë sektor të gjenden mjete financiare shtesë”, tha Krasniqi.

Kryetari i komisionit, Hekuran Murati tha se ka zvogëlim të buxhetit për Ministri të Shëndetësisë, ndërsa janë ndarë mjete për Ministri të Financave çek pa pasur destinim të tyre.

Madje, Murati ka kërkuar që të kthehet sërish në Qeveri për plotësim ndryshim.

“Ky projektligj duhet të kthehet prapa, sepse nuk përmbush kriteret as për votim”, tha ai.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi ka arsyetuar fokusin e qeverisë për projektet infrastrukturore.

“Shumë projekte kanë mbetur pa u realizuar me vite të tëra, ato duhet të ndërtohet pasi janë të kontraktuara”, tha ai. /KP/