“Unë dy minuta nuk ia fali”, a po aludon Lutfi Haziri në shkarkimin e Meliza Haradinajt

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla do duhej të shkarkohej nga pozita e saj, ndonëse nuk ka përmendur emra. Haziri tha se “nuk do ia falte dy minuta” një ministri që e anashkalon kryeministrin.

Haziri tha se qeverisja e Hotit është kryesisht qeveri “e butë”, por sipas tij ministrat nuk kanë të drejtë të dërgojnë letra në Presidencë duke e anashkaluar kryeministrin.

“Nëse një ministër çon letra në presidencë tu e anashkalu kryeministrin unë dy minuta s’ja fali. Unë se përmenda asnjë emër, ministri që e then rregullën e parë elementare të punës, e anashkalon kryeministrin, nuk ka vend me një kabinet, dy elefantë me një tend nuk jetojnë”, tha Haziri në Kanal10.

Edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte thënë se ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla nuk është koordinuar me kryeministrin Avdullah Hoti për emërimin e konsujve të përgjithshëm.

Mustafa tha se ka marrë vesh edhe për emërimin e ish-këshilltarit të Kadri Veselit si konsull në Frankfurt të Gjermanisë, që gjithashtu thotë se është bërë pa aprovimin e Hotit.

“Thuhet se nuk është rast i vetëm. Nga një diplomat u informova se edhe në konsullatën e Frankfurtit është vepruar njëjtë, qe flet për mungesë koordinimi të MPJ me Qeverinë në marrje të vendimeve. Kjo praktikë duhet të eliminohet dhe të korrigjohet. Nuk duhet të mungojë as dhënia e përgjegjësisë”, kishte deklaruar Mustafa.