Çfarë po bënte Melania kur mbështetësit e Trumpit sulmuan Kongresin?

Mijëra mbështetës të presidentit Donald Trump hynë dhunshëm të mërkurën e kësaj jave në Kongres. Derisa e gjithë bota kishte sytë në SHBA, Zonja e Parë, Melania Trump po realizonte një set fotografish në Shtëpinë e Bardhë.

Ndriçimi profesional i përdorur për fotografi dhe video, mund të shihej nëpërmjet dritareve të Shtëpisë së Bardhë.

“Fotografi po realizoheshin në Rezidencën Ekzekutive dhe Krahun Lindor”, tha për CNN një person nga stafi i Zonjës së Parë.

Derisa vetëm pak më tutje, dhuna kishte shpërthyer në Kongres pas nxitjeve të burrit të saj, Melania Trump dhe udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë, Timothy Harleth, ishin përqendruar në përfundimin e xhirimit.

Ishin të shumtë ata, përfshirë mediat, që prisnin një deklaratë nga ajo, ku të kërkohej ndalja e dhunës. Por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Në vend të kësaj, Melania Trump ishte e qetë. Mosinteresimi i saj për t’iu drejtuar vendit ishte tregues i ‘kontrollit’, tha një burim i Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë pas trazirave të dhunshme të ndodhura në Kongresin Amerikan, dy këshilltare të larta të Zonjës së Parë, Melania Trump dhanë dorëheqje.

Stephanie Grisham dha dorëheqjen si shefe e kabinetit të zonjës së parë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump hynë me dhunë në Capitol në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Gjithashtu dorëheqjen e ka dhënë edhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta, dha dorëheqjen, ashtu si edhe një zëvendës sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews.