Vendi shembull kundër pandemisë vendos izolim dhe testim të detyrueshëm

Hong Kongu ka vendosur izolim të përkohshëm në disa zona për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Në një deklaratë të lëshuar mëngjesin e së shtunës, qeveria e Hong Kongut mori masa për testim dhe kufizim të lirsië së lëvizjes. Me këtë vendim, banorët e disa pjesëve të lagjes Jordan duhet të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat e tyre dhe t’i nënshtrohen testimit të detyrueshëm, shkruan CNN.

Lagjja Jordan është zonë urbane me popullsi të dendur, numër të madh të bizneseve e restoranteve. Në zonën që do të izolohet është edhe Rruga e Tempullit, ikonë e tregut të natës, që vizitohet shumë nga turistët.

Rreth 10.000 banorë do të preken nga masat e izolimit, i tha televizionit CNN Zyra Qeveritare e Informimit.

Banorët nuk do të kenë të drejtë të largohen nga shtëpitë apo banesat derisa të përfundojë procesi i testimit. Qeveria ka thënë se ky proces pritet të përfundojë për 48 orë.

Sekretari për Mjedis, Wong Kam-sin, tha në një konferencë për gazetarë se uji nga gypat e disa ndërtesave në këtë zonë është duke u testuar për të parë nëse koronavirusi po përhapet përmes rrjetit të kanalizimit.

Në një deklaratë tjetër të qeverisë, të publikuar të shtunën, u njoftua se rrugët në zonën e izoluar do të jenë të mbyllura për vetura.