Gecaj i reagon Pecit: Ti dhe patronja jote mbani pozita të falura nga LDK’ja

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë dalë në mbrojtje kreut të kësaj partie, Isa Mustafa, ndaj të cilit më herët reagoi këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci.

Bajram Gecaj, zyrtar i LDK-së dhe shef i kabinetit të ministrit në largim, Agim Veliu, ka thënë se kësaj qasjeje të Pecit i thuhet bukëpërmbysje.

Ai ka thënë se Peci po harron se ai dhe Vjosa Osmani mbajnë pozita të falura nga LDK dhe Isa Mustafa.

“”Pis milet” i thonë turqit, e unë u them bukëpërmbysës. Peci po harron se ai dhe patronja e tij mbajnë pozita krejtësisht të falura nga Isa Mustafa e LDK!”, ka shkruar Gecaj.

Reagimi i Gecajt ka ardhur pasi Peci me anë të një postimi në Facebook të shtunën i është drejtuar Mustafës, duke i thënë se “më mirë do të ishe ndi nën kryetarllëkun e ish-presidentit Thaçi, por ç’të bëjmë, nuk është më.

Ai, tutje e ka akuzuar Mustafën për shfrytëzimin e postit të presidentit për pazare politike, teksa ka mbrojtur shefen e saj, duke e cilësuar si gardiane të institucioneve.