Conte ka vendosur ta mbajë Eriksenin, e konfirmon pas golit fantastik që e shënoi nga gjuajtja e lirë

Trajneri i Interit, Antonio Conte, pret që Christian Eriksen të qëndrojë te zikaltrit, përkundër spekulimeve të vazhdueshme për largimin e tij.

Mesfushori që u transferua nga Tottenham Hotspur në janarin e kaluar, u inkuadrua në pjesën e dytë të derbit ndaj Milanit dhe e shënoi golin e fitores me një goditje fantastike nga gjuajtja e lirë në minutat shtesë.

Danezi ka vuajtur prej se iu bashkua Nerazzurrëve dhe e kishte kërkuar largimin, ashtu që është vënë në listën e shitjeve nga shefi ekzekutiv, Giuseppe Marotta.

Megjithatë, pas fitores ndaj Rossonerëve në Kupën e Italisë, Conte ka thënë që nuk e dëshiron largimin e tij.

“Tash e një muaj po e them të njëjtën gjë: ‘Kjo është skuadra e Interit’. Askush nuk do të vijë, askush nuk do të largohet. Vazhdoj ta them këtë, por duket se askush nuk po më beson”.

(Foto: Twitter/Inter)

“Po punojmë me Eriksenin në aspektin teknik për të gjetur alternativë për (Marcelo) Brozovic, sepse nuk e kemi dikë të tillë në skuadër”

“Christian është një djalë shumë inteligjent, ka cilësi, është pjesë e projektit dhe jam i gëzuar që e shënoi atë gol… Është shumë i turpshëm, prandaj shpresoj që ky gol ta shkundë dhe ta nxjerrë nga mburoja e tij”, ka deklaruar trajneri për RAI Sport.