Për shkak të zgjedhjeve, shtyhet takimi mes qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Takimi mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut e cila ishte paraparë që të mbahej më 25 janar është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku.

Sipas saj, ky takim nuk mund të mbahet pasi Qeveria e Kosovës është qeveri në detyrë dhe kësisoj sipas saj, ky takim do të zhvillohet në momentin kur të formohet qeveria e re pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Është shtyrë mbledhja e përbashkët e dy qeverive, pasi jemi në qeveri në detyrë dhe nuk mund të mbahet ky takim. Takimi i këtyre dy qeverive duhet të mbahet në momentin që të formohet qeveria e re”, ka thënë Baxhaku.

Ndryshe, edhe zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Muhamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që ishte paraparë për 25 janar, është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ai shtoi se mbledhja është shtyrë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

“Me kërkesë të Republikës së Kosovës, përkatësisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbajtja e seancës së përbashkët në mes dy vendeve është shtyrë. Arsyeja është gjendja politike në Republikën e Kosovës, atje janë shpallur zgjedhje të parakohshme me 14 shkurt, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe themelimit të institucioneve atje, dy qeveritë do të caktojnë datën e mbajtjes së seancës së përbashkët”, tha mes tjerash Hoxha.